Përfundoi intervistimi i gruas së Radoiçiqit, nuk ka deklaratë për media
BKT
Lajme

Përfundoi intervistimi i gruas së Radoiçiqit, nuk ka deklaratë për media

M.Sh/RTKlive

(E përditësuar) Ka përfunduar intervistimi i gruas së Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit terrorist serb në Banjskë.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se intervistimi i saj nga  hetuesit e Njësitit të Krimeve Ekonomike të Prishtinës, në stacionin e policisë në veri, u bë  në prani të avokatit.

Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi ka siguruar pamje derisa ajo del nga stacioni i policisë, por as ajo dhe as avokati, nuk kanë pranuar të deklarohen për media.

Milan Radoiçiq ka pranuar se ishte organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Radoiciq, ish nënkryetar i Listës Serbe, është në Listën e zezë të SHBA-së dhe po kërkohet nga Interpoli dhe autoritetet e Kosovës, por jeton i lirë në Serbi.

 

Gruaja e Radoiçiqit po intervistohet nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës është duke intervistuar gruan e organizatorit të sulmit paramilitar serb në Banjskë, Milan Radoiçiq. Lajmin e konfirmoi për RTKlive, zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani.

“Konfirmojmë se në Mitrovicë të Veriut është duke u intervistuar ky person në prani të avokatit me ftesë të Krimeve Ekonomike në Prishtinë”, tha Elshani.


MË SHUME NGA Lajme