Punësimet në MPJD, angazhohen tre ekspertë për hetim të rastit|VIDEO
Valjetë Shala|RTK
Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku diskutoi rreth angazhimit të ekspertëve.
Angazhimi i numrit të ekspertëve lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së, përplasi pozitë e opozitë.
“Mendoj që duhet tri propozime”, tha Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deputete nga VV.
“Duhet tre ekspert të angazhohen. Nëse duam ekspert të pavarur, duhet konkurs në Kuvend. Nëse propozojmë nga partitë, atëherë ka një lidhje me atë parti”,tha Ariana Musliu-Shoshi, deputete nga PDK.
“Me pengon mendësia e deputetes që po mendon që kur angazhohen nga partitë, nuk janë të pavarur”, tha Fitore Pacolli, deputete nga VV.
“Unë kam kërkuar dhe kemi buxhet për tre ekspertë. Kërkoj që një ekspert të jetë nga pozita dhe një propozim nga opozita”, tha Time Kadrijaj, kryetare e Komisionit, deputete nga AAK.
Në këtë takim nuk munguan edhe akuzat ndaj njëra-tjetrës edhe sa u përket përgjimeve të fundit.
Edhe pse deputetët nuk gjetën pajtueshmëri mes tyre, me shumicë votash Komisioni votoi për angazhimin e tre ekspertëve në hetimin në lidhje me punësimet në MPJD. Deputetët nga opozita kërkuan që ministria sa më shpejt ta sjellë edhe dokumentacionin e kërkuar nga Komisioni për hetim.























