Konjufca: Veprimtaria artistike e Shkurte Fejzës është arkiv i rrallë
E. Hoti / RTKlive
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, mbrëmë mori pjesë në koncertin e këngëtares së mirënjohur, Shkurte Fejza, "50 vjet zëri i kombit", në 50- vjetorin e karrierës së saj, i organizuar dhe i mbajtur në kuadër të agjendës shtetërore për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Konjufca ka shkruar në Facebook se është emocionuar nga performanca e Shkurte Fejzës, veprimtaria artistike e së cilës tha se është arkiv i rrallë.
“Në 50 vite në mes rezistencës, luftës dhe çlirimit në njërën anë, pavarësisë e shtetndërtimit në anën tjetër, Shkurte Fejza është zëri që e ka shoqëruar me këngë historinë gjysmëshekullore të popullit shqiptar në Kosovë.
Veprimtaria e saj artistike është arkiv i rrallë që artikulon dhimbjet kolektive të popullit tonë, dramat dhe tragjeditë, përpjekjet sublime, rezistencën, luftën, heronjtë e dëshmorët, guximin, ëndrrat, shpresën dhe aspiratat tona që vijnë nga e shkuara dhe synojnë nga e ardhmja shpresëplotë. Shkurte Fejza i dha melodi në mënyrë mjeshtërore ngjarjeve dhe ndjenjave tona të përbashkëta”, ka shkruar Konjufca.
Kryeparlamentari Konjufca ka uruar që Shkurte Fejza të vazhdojë edhe më tutje dhe me sukses punën e saj.
“Ishte vërtet emocionuese të shihja nga afër koncertin e saj, në 50-vjetorin e karrierës së saj, në prag të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, duke na e risjellë në mënyrë të përzgjedhur veprën e saj të gjerë, së bashku me artistë të tjerë të shquar.
Duke e falënderuar për emocionet që na solli dhe na ka dhënë gjithë këto vite, Shkurte Fejzës i uroj që të vazhdojë edhe më tutje dhe me sukses punën e saj, që tashmë përbën kontribut të pakrahasueshëm”, ka shkruar tutje në Facebook Konjufca.























