Konjufca: Blari është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria
BKT
Lajme

Konjufca: Blari është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria

RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk konjufca, ka thënë se prania e Tony Blair në 25-vjetorin e Çlirimit të vendit, e përplotëson domethënien e kësaj date.

Përmes një postimi në Facebook, kryeparlamentari tutje u shpreh se Blai është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria.

“Prania e Tony Blair në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës e përplotëson domethënien e kësaj date të shënuar. Ishte kënaqësi shumë e madhe ta prisja ish-kryeministrin britanik për vizitë, këtë mik të madh të Kosovës dhe të bisedonim mbi ato ngjarje të vitit 1999, që shënuan kthesë për fatin e popullit shqiptar në Kosovë, që prodhuan efekte të mëdha sa i përket edhe aspektit ndërkombëtar, vështruar nga pozitat e drejtësisë, humanizmit, sigurisë, të drejtave, vlerave dhe interesave strategjike perëndimore. Mbështetja dhe përpjekja e palodhur e Blair dhe Britanisë së Madhe ishin ndër faktorët kyç për të shkuar deri te përfshirja e NATO-s përbrenda dhe përkrah luftës sonë të drejtë e çlirimtare, kundër Serbisë dhe krimeve të saj monstruoze ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ai është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria”, ka shkruar Konjufca.

Kryekuvendari ka theksuar se e ka falënderuar Blairin për vizitën dhe i ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e tij.

“E falënderova për vizitën dhe i shpreha mirënjohje të thellë për kontributin e tij të shquar e të vazhdueshëm, duke theksuar se ardhja e tij në Republikën e Kosovës është gëzim në zemrat e çdo shqiptari. Blair më falënderoi për pritjen duke u shprehur i lumtur që ndodhet në vendin tonë në këtë përvjetor të shënuar të çlirimit. Po ashtu, më shprehu mbështetjen e tij për Republikën e Kosovës, për rrugën e saj të integrimeve, të përparimit të gjithanshëm dhe kontributit në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, ka theksuar Konjufca

Konjufca pret në takim ish-kryeministrin britanik

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të çlirimit të vendit, ka pritur në takim ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

Blair, më herët u takua me presidenten Osmani, me ç’rast mbajtën një konferencë për media.


MË SHUME NGA Lajme