Seanca solemne: 25 vjet pas çlirimit, Kosova e meriton anëtarësimin në NATO
BKT
Lajme

Seanca solemne: 25 vjet pas çlirimit, Kosova e meriton anëtarësimin në NATO

Medina Pasoma / RTKlive

(E përditësuar) “Në qershor të vitit ’99 muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afër 38 mijë ushtarë nga 36 vende komunikuan me gjuhën universale të lirisë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës që shënon 25-vjetorin e çlirimit të vendit.

“Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja Osmani e ka cilësuar NATO-n si dritë shprese dhe shans për drejtësi e liri.

“Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës të përgjakur, të dërrmuar e të shkatërruar, atëherë lotët, britmat e lulet u shndërruan në përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s. Ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë. Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve të NATO-s, uniformat me flamuj të shumtë që simbolizonin lirinë e jo urrejtjen e dhunën, të gjitha këto u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja që synonte regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka deklaruar ajo, transmeton RTKlive.

Osmani ka kujtuar kontributin e presidentit Ibrahim Rugova për liri e pavarësi bashkë me aleancat që u ndërtuan për shtetin.

“Do ta kujtojmë çdo ditë të jetës sonë, por edhe për brezat që vijnë pas nesh, heroizmin e papërsëritshëm të komandantit Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari, të cilat u shndërruan në gurthemelin e lirisë që gëzojmë sot. Do të jetojmë përherë me kujtimin e të gjithë dëshmorët e UÇK-së,  mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka thënë ajo, transmeton RTKlive. 

Osmani ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke thënë se kjo është diçka që vendi e meriton.

"Liria sot është përgjegjësi e trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe premtim që duhet ta përmbushim për këtë dhe çdo gjeneratë që vjen pas nesh. NATO-ja na dha mbështetjen dhe ne sot e synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake me ushtrinë tonë që me profesionalizmin e saj është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”, ka thënë ajo.

Konjufca: Lufta e UÇK-së – kapitulli më i lavdishëm i historisë së reKryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës do të mbetet kapitulli më i lavdishëm i historisë së Kosovës. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari do të mbetet kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë të re. Populli ynë, edhe pse i dërrmuar nga pushtimi i gjatë e i egër, arriti që nga gjiri i vet t’i jepte djemtë e vajzat më të mira, gjaku i të cilëve është gurthemel i lirisë dhe pavarësisë sonë”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se kujtesa për luftën është garanci që ajo të mos përsëritet më.

 “12 qershorin do ta festojmë përherë si ditë të ngadhënjimit mbi të keqen, si ditë të fitores së drejtësisë mbi padrejtësinë, të lirisë mbi robërinë, të çlirimit mbi shtypjen dhe të humanizmit mbi fashizmin”, ka thënë ai.

Kurti: BE-ja familja jonë politike, NATO destinimi ynë ushtarakKryeministri Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit, ka thënë se Kosova sikur atëherë ka rreshtim perëndimor, ndërkaq Serbia vazhdon të qëndrojë krahë me Rusinë.

“Sikur atëherë edhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia rri prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me SHBA, me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë dhe me vendet e tjera partnere. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinimi ynë ushtarak”, ka thënë ai.

Kreu i ekzekutivit është shprehur para të pranishmëve se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira e njohje reciproke me vendet fqinje “pa sulme e agresione”, raporton RTKlive.

“Kurrë më të lirë dhe më të pavarur nuk kemi qenë dhe kurrë më të vendosur se sot s’kemi qenë për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë tonë me çdo kusht, me gjithçka e çdo njëri”, ka thënë kryeministri.


MË SHUME NGA Lajme