Opozitarët:Lufta e UÇK-së, sakrifica e popullit dhe NATO-ja e sollën lirinë
BKT
Lajme

Opozitarët:Lufta e UÇK-së, sakrifica e popullit dhe NATO-ja e sollën lirinë

Medina Pasoma / RTKlive

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit. Në këtë seancë kanë folur edhe  përfaqësuesit e partive opozitare. Ata kujtuan ndërhyrjen e NATO-së, luftën çlirimtare si dhe sakrificën e popullit shqiptarë për liri e pavarësi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se pa sakrificën e njerëzve të vendit, Kosova s’do ta gëzonte lirinë që e ka.

“Është e paktë të thuhet ajo që dihet se pa sakrificën e tyre asnjë nga ne s’do të ishim këtu, e as Kosova s’do të ishte e lirë. Të nderuar veteranë e invalidë të UÇK-së faleminderit që pa menduat dy herë vutë jetërat e juaja në rrezik për një Kosovë pa robëri dhe një qiell pa re, duke i kthyer kufinjtë e ëndrrave të fëmijëve tanë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka vazhduar të falënderoj personalitete të ndryshme që kontribuuan për lirinë e vendit.  

Krasniqi s’ka lënë pa përmendur figurat e UÇK-së, të cilat po mbahen në gjykim në Hagë, duke ia uruar 25-vjetorin e çlirimit. Ai i ka cilësuar si heronj të luftës e të paqes.

“Lufta e tyre nuk u ndal kurrë. Sot jemi në vitin 2024, tashmë ata janë burra të thinjur, ndërsa beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende. Ata janë testament i gjallë i sakrificave dhe përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti”, ka thënë ai.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se vendosmëria e NATO-së për ta ndalur gjenocidin ishte jetike.

“Ndërhyrja e NATO-s, e cila erdhi me vendosmërinë për të ndaluar gjenocidin dhe për të mbrojtur popullin tonë, ishte jetike për arritjen e qëllimit tonë të shenjtë, lirinë, demokracinë e pavarësisë”, ka thënë Gashi.  

Kurse shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Benik Tahiri, ka thënë se kësaj dite po i mungojnë protagonistët e luftës e paqes.

“Në këtë ditë s’kemi si të mos themi se po i mungojnë udhëheqës të luftës që janë gjallë, e që ishin protagonistë të luftës e të paqes, të pavarësisë së Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, gjeneral Rexhep Selimi dhe të tjerët që kanë dhënë kontribut të madh në luftën për liri. Shpresoj që drejtësia do të triumfoj edhe për ta”, ka thënë Tahiri.


MË SHUME NGA Lajme