Përurohet Kalaja e UÇK-së në Vërri të Prizrenit
Arlinda Sejda /RTK
Në Vërri, përkatësisht në Leskovec të Prizrenit sot është bërë përurimi i Kalasë së UÇK-së.
Në këtë manifestim po merr pjesë gjeneral Kudusi Lame, Fatmir Limaj, Nait Hasani, Zafir Berisha, ish-luftëtar të UÇK-së, bashkëluftëtar, si dhe familjar të dëshmorëve.
Kurse, ish-gjenerali shqiptar, Kudusi Lame, ka theksuar se UÇK-ja është autore e krijimit të shtetit të Kosovës.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka deklaruar se ky obelisk me tri shkronja të veçanta, është dëshmi e një procesi të rëndësishëm për kontributin e jashtëzakonshëm të UÇK-së për ta sjell lirinë e vendit tonë.
Kurse, njëri nga ish komandantët e kësaj zone, Zafir Berisha ka deklaruar se Prizrenit po i bashkëngjitet edhe një kala. Sipas tij, Kalaja e UÇK-së, do t’i bëjë nder Kosovës. “Ne që mbetem gjallë sa të mundemi duhet t’a pasqyrojmë realitetin”, ka thënë ai.
Kurse, kreu i Nismës Socilademokratike, Fatmir Limaj ka theksuar se 25 vite më parë secili e kishte nga një histori.
“Kosova ka bërë një hapë të papërshkrueshëm. 26 vite më parë në krye me komandantin legjendar arritëm ta kemi një ushtri dhe objektivin e realizuar, çlirimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Në këtë manifestim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në këtë zonë u zhvilluan beteja të fuqishme nga Brigada 125. Ky projekt u realizua nga komuna e Prizrenit, në 25 vjetorin e Çlirimit.
























