Osmani në pritjen shtetërore: Në fytyrat fëmijëve shihet liria/Video
BKT
Në Fokus

Osmani në pritjen shtetërore: Në fytyrat fëmijëve shihet liria/Video

V.Thaqi/RTKlive

(E plotësuar) Presidentja Vjosa Osmani ka uruar edhe një herë të gjithë qytetarët e Kosovës për 25 vjetorin e ditës së çlirimit, duke falënderuar edhe miqtë ndërkombëtarë që ndihmuan atëherë e që po ndihmonin edhe tash në ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës. Këtë deklaratë Osmani e dha në pritjen shtetërore për liderët vendorë e ndërkombëtarë për rastin e ditës së çlirimit.

Osmani uroi sot të gjithë, derisa foli për fëmijët e Kosovës, në fytyrat e të cilëve, sipas saj, shihet gëzimi dhe lumturia e lirisë.

“Faleminderit gjithsecilit që ka kontribuuar që ne ta gëzojmë ditën e sotme, nga secili qytetarë, secila familje sepse nuk ka shtëpi në Kosovë që nuk ka dhënë kontribut për liri në një mënyrë apo në një tjetër, e deri tek secili mik i yni nga ata që kontribuuan në 99-tën e deri tek këta që i kemi sot me ne, dhe nuk na lënë vetëm as në ditët e sotme”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova po ecën e fortë si një shtet demokratik dhe si një shembull i jashtëzakonshëm, i cili tani është në gjendje t’u dal në ndihmë edhe shteteve të tjerëve që kanë nevojë për këtë ndihmë.

Kurti: Themelet e shtetit janë të forta, u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve

Edhe kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës, vendorët e ndërkombëtarët.

“Javët e muajt e pranverë 1999 ishin të vështira. Plani gjenocidal Patkoi sollën humbje, vuajtje e shkatërrim pa masë në mbarë Kosovën. Por, kur ushtarët e parë të NATO-s hynë në Kosovë, fytyrat e mbuluara nga pikëllimi dhe sytë që kishin parë ditë të errëta, filluan të shkëlqenin me lot gëzimi. Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me zemra të hapura, si çlirimtarë, njësoj si luftëtarët e UÇK-së. Ushtarëve iu ofruan lule, gjersa valëviteshin flamujt e Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, krahas flamurit kombëtar shqiptar”, deklaroi Kurti.

Ai tha se falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së Aleancës më të madhe ushtarake ne historinë e njerëzimit NATO-s, Kosova e gëzon lirinë.

“Prandaj sot themelet e shtetit tonë janë të forta sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve nga qëndresa e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve”, deklaroi Kurti.

 Në këtë ditë lista e falënderimeve kryeministri veçoi katër figura politike ndërkombëtare, që mbajnë emrat edhe sheshet dhe rrugët e Kosovës.

“Dua të veçoj katër persona: Bill Klinton, Tony Blair, Madeline Albright dhe Wesley Clark. Për ta historia e Kosovës do të ruajë faqet më të ndritura për rolin e tyre në lirinë tonë”, tha Kurti.

Kurti citoi kryeministrin Toni Bleair, “Liria në vetvete nuk mjafton”, e theksoi se nuk mjafton pa institucione demokratike dhe sundimin e ligjit. “Sepse e kemi parë sa lehtë atë e marrin nga brenda autokratët, nuk mjafton pa lirin e shprehjes dhe lirin e medies, pa të drejtën për të kritikuar dhe protestuar pa frikën e ndëshkimit, por nuk mjafton edhe pa shanset e barabarta për sukses në jetë”, tha ai.

Një çerek shekulli pas largimit të forcave të armatosura të okupatore të Serbisë, Kosova sipas kryeministrit Albin Kurti, është kampione në Ballkanin perëndimor për progres në demokraci dhe në sundim të ligjit, për respektim të të drejtave të njeriut dhe luftim të korrupsionit.

Për Kosovën, Calmy-Rey, tha se është shtet i ri, ndërsa marrëdhëniet me Serbinë, sipas saj, nuk janë gjithmonë të lehta për mos të thënë të vështira. “...Kosova ka nevojë për më shumë njohje nga shtete të tjera për t’u anëtarësuar në shumë organizata, siç është Këshilli Evropian, NATO-ja por edhe Bashkimi Evropian”, shtoi ajo.

Sipas Calmy-Rey,  stagnimi më i madh i Kosovës janë tensionet në veri, çështje shumë e ndjeshme sepse Serbia, siç tha ajo, ka intervenuar në veri të Kosovës dhe kjo sfidë determinon investimin e gjithë komunitetit ndërkombëtar, por edhe të autoriteteve dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë.


MË SHUME NGA Në Fokus