Kosova mori urime të shumta nga miqtë e saj për 25 vjetorin e lirisë/Video
BKT
Lajme

Kosova mori urime të shumta nga miqtë e saj për 25 vjetorin e lirisë/Video

Edina Avdiu/RTK

“Keni vetëm 30 minuta kohë të largoheni nga Kosova. Koha po mbaron. Ky është fundi i diskutimit. Tani keni 28 minuta kohë”. Këto ishin fjalët e gjeneralit gjerman të KFOR-it, Helmut Harff, për gjeneralin e ushtrisë serbe në Prizren në vitin 1999. Gjithashtu, ishin momentet e para të ardhjes së lirisë së Kosovës.

Nga ajo ditë, sot u mbushën 25 vjet. Ata që ndihmuan në çlirimin e Kosovës, dërguan urimet e sinqerta.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, roli i të cilit ishte kryesor në bombardimin e Serbisë nga NATO, përkujtoi  25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Clinton publikoi një video të vitit 1999 në të cilën flet për ndërhyrjen e NATO-s dhe vizitën  në Kosovë, ndërsa falënderon për 25 vjet paqe në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani, falënderoi ish-presidentin Clinton, duke deklaruar se është ai që e ka mundësuar këtë paqe në Kosovë.

Mesazh urimi për çlirimin e Kosovës dërgoi edhe ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, i cili ishte në atë kohë ishte në krye të Aleancës Veri-Atlantike.

Duke theksuar se e mban në zemër popullin e Kosovës, Solana porositi që vendi të shndërrohet në shtet të fortë, ta ruajë lirinë, dhe të përgatitet për ndryshimin e madh, integrimin në BE.

Edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në mesazhin e urimit, garantoi vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së për Kosovën. Hovenier tha se SHBA-ja është krenare, që është partnere e Kosovës, duke theksuar se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë.

E ambasadori gjerman, Jorn Rohde, deklaroi se Gjermania mbetet një ndër partneret më të afërta të Kosovës. Ai tha se Kosova është një rrëfim suksesi.

25 vjet më parë, me fushatë ajrore të bombardimeve mbi Serbinë, NATO largoi forcat serbe, duke i dhënë fund represionit dhe kampanjës për spastrim etnik të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme