Vuçiq: Tjetër bisedë e hapur me Sarrazin
B. H. | RTKlive
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ku temë diskutimi ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kreu i shtetit serb e ka vlerësuar bisedën me emisarin gjerman ‘të hapur’.
“Një tjetër bisedë e hapur dhe e drejtpërdrejtë me Sarrazin për situatën në rajon, marrëveshjet e pazbatuara nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, në radhë të parë të atyre që kanë të bëjnë me sigurinë e serbëve në Kosovë dhe formimin e Asociacionit, vazhdimi i rrugës evropiane të Serbisë, angazhimi i Republikës Federale të Gjermanisë në proceset rajonale dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”, ka shkruar presidenti serb.
Ai tutje ka thënë se emisarit gjerman ia ka përsëritur qëndrimin se si Gjermania, ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare në Serbi kanë një partner të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit dhe prosperitetit rajonal, por se sipas tij, mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioritet.
Ndërkohë, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ritheksoi sot qëndrimin e shtetit të tij se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të reciproke.























