Mustafa: Rugovën e mbron dhe madhëron vepra e tij
BKT
Lajme

Mustafa: Rugovën e mbron dhe madhëron vepra e tij

B. H. | RTKlive

Rugova nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron dhe e madhëron vepra e tij. Kështu është shprehur ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, teksa ka reaguar ndaj atyre që e sulmuan figurën e presidentit historik, Ibrahim Rugova, në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“25 vjetorin e çlirimit të Kosovës disa e shfrytëzuan për ta sulmuar dhe denigruar figurën presidentit Ibrahim Rugova, njeriut i cili i vuri themelet e çlirimit dhe të pavarësisë. Për Rugovën nuk folën ata që do duhej të flisnin. Disa kanë vdekur, disa nuk u ftuan të flasin, disa nuk janë aty ku është mikrofoni e disa po bëjnë politika ditore me emrin dhe figurën e tij për interes të tyre”, ka shkruar Mustafa, duke kritikuar kësisoj edhe konferencën ndërkombëtare që LDK-ja e ka mbajtur për Ibrahim Rugovën.

Ai tutje ka thënë se historia nuk shkruhet duke e cilësuar Rugovën si paranojak, sepse sipas tij, paranojakët nuk krijojnë vepra kombëtare, siç i krijoi Rugova.

“Aq më pak nuk thuhet e vërteta nëse ia mvesh dikush,  që nuk e ka dashur Rugovën asnjëherë, që ai ka kërkuar azil në Gjermani”, ka shkruar tutje Mustafa, duke aluduar në deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti.

Ai tutje ka thënë se ka qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur Rugova ka shkuar atje me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999.

“Qeveria jonë ka qenë e interesuar që  Rugova të qëndrojë aty për një kohë dhe të punojmë së bashku deri sa të kthehemi në Kosovë. Që qeveria e Kosovës (jo ajo gjermane) t’i mbulojë shpenzimet e qëndrimit dhe të aktivitetit të tij. Askush nuk e ka menduar as përmendur azilin. Së fundmi azil nuk kishim kërkuar asnjëri nga ne që qëndruam 9 vite në ekzil, (as dr. Bujar Bukoshi, as dr. Muhamet Bicaj, as Halit Muharemi, as unë).  Pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali. Qeveria dhe populli italian u treguan atëbotë mikpritës dhe më të kujdesshëm  ndaj Rugovës”, ka nënvizuar ish-kreu i LDK-së.


MË SHUME NGA Lajme