Promovohet pilotimi i kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme
E. Hoti / RTKlive
Sot është bërë promovimi i pilotimit të kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë, një iniciativë e përbashkët e Ministrisë së Arsimit dhe UNICEF-it.
Në këtë ngjarje morën pjesë Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Benjamin Fisher, zëvendës udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë.
Ministrja Nagavci në një postim në Facebook tha se fëmijëria e hershme është pjesa më e ndjeshme e jetës së njeriut andaj kërkon vëmendje të veçantë dhe kujdes të vazhdueshëm nga familja, shoqëria dhe politikëbërësit.
“Kënaqësi të shohim rezultatet e para të pilotimit të Kurrikulës për Edukimin në Fëmijërinë e hershme e të dëgjojmë vlerësimet pozitive në realizimin e këtij procesi. Për të parë nga afër pilotimin e kësaj kurrikule, bashkë me shefin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë Benjamin Fischer, kolegë nga MASHTI e prindër, vizituam kopshtin me bazë në komunitet “Shkronjat” në Prishtinë. Bashkëbiseduam me fëmijët dhe edukatoret e këtij institucioni dhe pamë aktivitetet e realizuara në kuadër të Kurrikulës së re e cila ka nisur të pilotohet këtë vit në 13 institucione parashkollore dhe 17 klasë parafillore”, ka shkruar Nagavci ne Facebook.
Ajo tha se çerdhet me bazë në Komunitet janë një storie suksesi i filluar që para 10 vitesh në Komunën e Prishtinës.
“Tashmë për këto çerdhe kemi përgatitur edhe infrastrukturën ligjore.Për fazën e parë të pilotimit të Kurrikulës për Edukimin në Fëmijërinë e hershme janë trajnuar 186 pjesëmarrës si edukatorë, drejtorë të institucioneve parashkollore, psikologëpedagogë të këtyre institucioneve, kordinatorë të cilësisë dhe zyrtarë komunal ndërsa rreth 1200 fëmijë janë përfitues në këtë proces”, ka shkruar ajo .
Tutje Nagavci bëri të ditur se kurrikula për edukimin në fëmijërinë e hershme po pilohet ne 10 komuna si në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjakovë, Prizren, Suharekë, Gjilan, Kaçanik, Pejë dhe Vushtrri.
“Kjo Kurrikulë përbën reformë në edukimin e hershëm me qasjen e saj gjithëpërfshirëse me fëmijën në qendër, mundëson realizimin e potencialit të pakufizuar të të gjithë fëmijëve për mësim dhe eksplorim, dhe njëkohësisht promovon rolin vendimtar të prindërve në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Falënderoj UNICEF për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjitha fazave të zhvillimit dhe pilotimit të këtij dokumenti kaq të rëndësishëm”, ka shkruar tutje Nagavci në Facebook.























