Gërvalla: Me keqardhje, RTK nuk mund t’i transmetojë ndeshjet e ‘Euro 2024’
BKT
Sport

Gërvalla: Me keqardhje, RTK nuk mund t’i transmetojë ndeshjet e ‘Euro 2024’

M.Sh/RTKlive

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) kësaj radhe nuk do t’i transmetojë ndeshjet e Kampionatit Evropian të Futbollit “Euro 2024” dhe për këtë drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla nëpërmjet një statuti në Facebook, i njofton Tifozët Kuqezi, se kjo ka ndodhur për mungesë tenderimi në vitin 2021. Por, Gërvalla thotë se shikuesit do t’i mbaj të informuar me emisione e intervista nga Gjermania e Kosova për secilën ndeshje.

“Të nderuar tifozë "TKZ", shikues të RTK-së, me keqardhje ju njoftoj se RTK nuk do të transmetojë ndeshjet e UEFA Kampionatit Evropian për shkak të mungesës së pjesëmarrjes në procesin e tenderimit të vitit 2021”, thotë Gërvalla.

Ai thotë se që nga 1 shkurti 2023 kur është përzgjedhur drejtor i TV-RTK-së, është përpjekur të mësojë arsyet reale të humbjes së të drejtave për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares së Shqipërisë 2024 dhe 2028.

“Si është e mundur që një operator privat si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri ka dëmtuar rëndë dy mediumet publike RTK-në dhe RTSH-në? Uroj që e vërteta do të dalë në shesh vetëm pas një hetimi shtetëror në të dy Republikat. Shpresojmë që në të ardhmen dhe jemi në përpjekje që të rikuperojmë edhe këto të drejta dhe të ofrojmë përmbajtje të rëndësishme sportive për shikuesit tanë besnikë, tifozët e Kombëtares që nuk kanë arritur t'i sigurojnë biletat për t'i përcjellë ndeshjet ne Gjermani”, shkruan Gërvalla.

Ai thotë se do RTK do t’i qëndrojë pranë kombëtares me emisione speciale e intervista.

Kujtojmë se RTK e ka ekipin e saj në Gjermani për të përcjellë nga afër atmosferë, lojën dhe gjithçka që lidhet me Kombëtaren e Shqipërisë në këtë kampionat. Ndërsa ndeshjet e “Euro 2024” do t’i transmetojë një medium kabllor që është me pagesë dhe pa licencë kombëtare.