U mbajt Akademia përkujtimore për katër dëshmorët e Prishtinës|Video
BKT
Lajme

U mbajt Akademia përkujtimore për katër dëshmorët e Prishtinës|Video

Elmina Osmani | RTK

U përkujtuan sot dëshmorët, Nezir Gashi, Arianit Berisha, Venet Bajramaj e Uran Ajeti, në 25 vjetorin e vrasjes nga forcat serbe.

Familjarët thanë se banda prej rreth 30 çetnikëve e paramilitarëve, kishte mësyrë pallatin kryesor të Rrugës 2, në Breg të Diellit në Prishtinë. Ata synonin vrasjen e civilëve shqiptarë edhe pse në ndërtesa, kishte shumë fëmijë, gra e pleq.

“U kapën fyta-fyt me ordhitë barbare dhe nuk i lanë të futeshin në pallat dhe të bëjnë kërdi, si serbët që e kanë zakon, në vasha e fëmijë. Me këto banda paramilitarësh luftuan katër djem, pa i hy në hak asnjërit, secili më trim se tjetri, ishte një luftë e pabarabartë, ndonëse këta trima e kishin vra frikën, ishin djemtë shkreptimë, shtat bajrak, për Zotin me t’u dhimbsur me i vra për gjak. Në këtë luftë të pabarabartë iu shkon në ndihmë baca i madh Nezir Gashi”, tha Sokol Halili familjar i dëshmorit, Nezir Gashi.

Ndërkaq, Arbërore Berisha Bicaj, motra e dëshmorit Arianit Berisha u shpreh: “Atë ditë guximi kishte mposhtur frikën, atë ditë djemtë tanë ishin një me njëri-tjetrin. Atë ditë ata nuk e njohën frikën. Synimi për të arritur qëllimin më fisnik human, mbrojtjen e njëri-tjetrit kishte kapërcyer çdo barrierë, kishte ngadhënjyer mbi dorën e pamëshirshme të armikut. Por e rëndësishme ishte se ata ishin bashkë e po përballeshin fyt për fyt me armikun".

Katër dëshmorët i përkujtoi edhe deputeti, Armend Zemaj, sipas të cilit, ata nuk mundën të përjetojnë lirinë, por lanë prapa familjarët krenarë me veprën e tyre.

“Kur forcat paqeruajtëse kishin filluar të krijojnë terren të sigurt nga gjithë ato ditë të errëta për Prishtinën e Kosovën, vriten Neziri, Arianiti, Veneti e Urani nga ata që krimin etnik e kishin të ushqyer ndër vite dhe humbjen nuk mund ta përballonin lirinë e tjetrit, lirinë e shqiptarit. Është ditë e krenarisë sepse akti heroizimit për të qëndruar stoik në Kosovën e tyre dhe për të mos lejuar krimet e paramenduara ndaj vëllezërve dhe motrave të tyre që kishin filluar të ndjejnë gëzimin e lirisë, janë burim krenarie, janë sprovë guximi, janë shembull trimërie dhe mbeten gjithmonë frymëzim për vepra të tilla", tha Zemaj.

Arianit Berisha, Nezir Gashi, Uran Ajeti dhe Venet Bajramaj u vranë më 15 qershor 1999 në Lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë. Deri tani askush nuk është dënuar për këtë krim.


MË SHUME NGA Lajme