Osmani nga Zvicra: Jemi shndërruar në model të demokracisë
B. H. | RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të fillimit të Samitit të Paqes për Ukrainën që mbahet në Zvicër ka thënë se Kosova mund të ndajë storien e saj se si nga një shtet i ndërtuar nga zero është shndërruar në një model të demokracisë.
“Si Kosovë, besoj se jemi në pozicion me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në këtë Samit që të ndajmë storien tonë, tregimin e Republikës së Kosovës si një shtet që është ndërtuar nga zero, si një shtet që ka vuajtur e sakrifikuar shumë. Megjithatë, jemi shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme. Sepse siç e thotë shpesh edhe presidenti Biden, në kohë të rënda më e rëndësishmja është që për çka qëndron ose kush qëndron me ty. Ashtu siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresionit rus, ne të qëndrojnë së bashku si aleatë që besojmë në njëjtat vlera që t’i mbrojmë të njëjtat parime që janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë”, ka theksuar Osmani përmes një videomesazhi.
Presidentja përmendi edhe takimin që pati me presidenten e Zvicrës, Viola Amherd, me të cilën tha se diskutuan për mënyrat se si të rritet bashkëpunimi mes të dy vendeve.























