Ahmetxhekaj: RTK-ja ka bërë hapa të mëdhenj për informim të drejtë|Video
K. Kasumi / RTKlive
Në Gjermani është duke u mbajtur Forumi Global i Medias. Pjesëmarrës në këtë forum është edhe Radio Televizioni i Kosovës. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” nga Boni, drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se në këtë forum po vërehet një inovacion që pjesëmarrësit nuk po i lë të ikin.
Në këtë forum një ndër temat kryesore është luftimi i dezinformimit, i cili në këtë kohë është problem shumë serioz.
Duke folur për luftimin e dezinformimit, Ahmetxhekaj ka thënë se RTK-ja ka bërë hapa të mëdhenj për informim të drejtë dhe të saktë, pasi që secila medie në botë ka këtë synim.
“Mediet publike kanë synim që lajmin jo ta japin të parin, por atë lajm që e japin të jetë i saktë dhe i verifikuar”, ka deklaruar Ahmetxhekaj. Ai ka thënë se gjithmonë para publikimit të lajmit, të bëhet verifikimi i tij nëse është i saktë.
Gjithashtu, Ahmetxhekaj ka bërë të ditur se RTK-ja tash është duke hapur një departament të ri dhe duke përgatitur një staf për verifikimin e lajmeve të rreme. Sipas tij, gazetarë të cilët kanë përvojë të gjatë të punës në gazetari do të merren me verifikimin e lajmeve.
Gjithashtu, në forum po diskutohet edhe për censurën në medie dhe në internet, gazetarinë e pavarur, rëndësinë e gazetarisë dhe për procesin e digjitalizimin të saj.
Po ashtu, një ndër temat e këtij forumi është edhe Inteligjenca Artificiale.























