Takimi në Bruksel, Arifi: Nuk ka optimizëm se do të ketë ndonjë progres
M.Miftari/RTKlive
Avni Arifi, ish-kryenegociator i Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, i ftuar në RTK, ka folur për takimin në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, për të cilin takim tha se askush nuk ka pasur ndonjë dozë optimizmi se do të ketë ndonjë progres.
Ai tha se në tavolinë janë tri palë dhe që kryesisht kanë qëllime të ndryshme.
“Të tria palët janë në tavolinë dhe të tria palët kanë qëllime të ndryshme. Qëllimi i Borrellit dhe Lajçakut është, në një mënyrë, që të gjejnë forma që të kthehen në marsin e vitit të kaluar, pra pas pranimit të Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Arifi.
Ai tutje tha se Kosova i ka tri objektiva që janë shumë të rëndësishme që sipas tij, janë ndëshkimi i fajtorëve të sulmit terrorist në Banjskë, pastaj arsyeja e vënies së sanksioneve ndaj Kosovës, nëse vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës si masë për realizimin e ndonjë objektive me karakter politik dhe në anën tjetër mosvendosja e asnjë mase ndaj Serbisë është skandal në vetvete, derisa Serbia ka penguar vazhdimisht anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Ndërkaq për pozitën e Serbisë në këtë proces të dialogut, Arifi tha se ajo është në një pozitë manovruese shumë më të mirë, derisa vuri në dukje se kjo do të kërkojë krijimin e Asociacionit dhe tani mund të diskutojë me BE-në për implementimin e Kapitullit 35, që nënkupton hapjen e marrëveshjes për integrim të Serbisë në BE.
Për çështjen e Bajnskës, Arifi kritikoi institucionet e vendit që sipas tij nuk kanë bërë sa duhet në sensibilizimin e këtij akti terrorist në Kosovë nga ana e Serbisë.
Kurse lidhur me arritje të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në një të ardhme të afërt, Arifi tha se kurrë më larg nuk kanë qenë, duke iu referuar raportit mes Kosovës e partnerëve ndërkombëtarë.
“Kurrë ma larg nuk ka qenë. Nuk ka frymë, nuk ka besim. Problemi përpara ka qenë se nuk ka pasur kurrë besim mes Kosovës e Serbisë, por që kjo ka qenë në rregull, sepse nuk ka qenë me rëndësi a na besojnë serbët apo jo, sepse as ne nuk u kemi besuar atyre. Problemi kryesor është besueshmëria që kemi te vendet e NATO-s, SHBA-së dh BE-së”, deklaroi Arifi, teksa shtoi se falë tyre ne kemi krijuar institucionet e Kosovës.























