Nis festivali “Mirëdita, Dobar Dan”|VIDEO
BKT
Kulturë

Nis festivali “Mirëdita, Dobar Dan”|VIDEO

K. K. / RTKlive

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” do të mbahet nga 27 deri më 29 qershor 2024 në Beograd. Kushtrim Koliqi nga “Integra”, në një lidhje virtuale për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës, tha se “çfarëdo që sjellim ne në Beograd kemi kundërshtim, mirëpo kemi dy realitete, grupe të ekstremistëve dhe artistë dhe akademikë të cilët kanë nevojë të komunikojnë”.

Koliqi fillimisht shpalosi programin e këtij festivali.

“Kemi një program të jashtëzakonshëm. Sot e kemi hapjen, shfaqjen ‘Babai dhe Babai’, regjinë të cilën e kam bërë unë dhe që trajton  çështjen e personavë të pagjetur në luftën e fundit në Kosovë. Një ndër shfaqjet e kemi ‘La Fazani’, e nesër i kemi disa vizita dhe shkëmbime kulturore, kurse pasnesër i kemi dy debate,  promovimin e librit të Azem Deliut dhe ekspozitën ‘Kiss’, edhe filmin e regjisores Kaltrina Krasniqi ‘Vera ëndërron detin’. Kurse festivalin e mbyllim me partyn me dj Erleta Kadrija”, tha ai.

Tutje ai tha se ‘Mirëdita,  Dobar Dan’ është një festival që u jep hapësirë diskutimeve që janë të dhimbshme e të vështira për shoqëritë tonë, sidomos që kanë të bëjnë me luftën.

“Çkado që sjellim ne në Beograd kemi kundërshtim sidomos prej grupeve ekstremiste. Nganjëherë e kam bindjen që qëndrojnë dy realitete të ndryshme këtu, ku i sheh disa grupe ekstremiste. Fatkeqësisht kemi pasur reagime të ashpra kundër festivalit prej politikanëve shumë të lartë të Serbisë, mirëpo është edhe një realitet tjetër i njerëzve dhe artistëve akademikë të cilët kanë nevojë të komunikojnë, kanë nevojë të dëgjojnë një storie që nuk e dëgjojnë çdo ditë ose rrallë këtu në Beograd”, shtoi ai.


MË SHUME NGA Kulturë