Kushtetuesja gjen shkelje në disa nene në Ligjin për Shërbimin Civil
BKT
Lajme

Kushtetuesja gjen shkelje në disa nene në Ligjin për Shërbimin Civil

M.Miftari/RTKlive

Gjykata Kushtetuese të enjten ka rrëzuar nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pas ankesës së shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, dhe atij të LDK-së, Besian Mustafa.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij Ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] “në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës]”.

Neni 6 i Ligjit të kontestuar, sipas Kushtetueses, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil].

Kushtetuesja më tej qartëson se Nenet 9, 10 dhe 11 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, kurse i dha të drejtë Qeverisë për Ligjin për investime të qëndrueshme, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për vlerësim.

Po kështu, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar edhe vendimin lidhur me kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala dhe nëntë të tjerëve lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se nenet e kontestuara nga deputetët nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje.


MË SHUME NGA Lajme