Aprovohet pjesa e dytë e buxhetit të RTK-së për 2024
BKT
Lajme

Aprovohet pjesa e dytë e buxhetit të RTK-së për 2024

M.P. / RTKlive

(E përditësuar) Është aprovuar programi i shpenzimeve të RTK-së për periudhën korrik – dhjetor të këtij viti, në shumën prej 4 milionë e 480 mijë eurosh.

Para aprovimit, deputetët pjesëmarrës në Komisionin për Buxhet kanë trajtuar çështjen e borxheve të transmetuesit publik, duke thënë se duhet të bëhet urgjentisht shlyerja e borxheve.

“Obligohet RTK-ja t’i shlyejë obligimet minimale ndaj KPM-së”, ka kërkuar Muja nga VV.

Ahmetxhekaj: RTK ka kursime në paga, të paktën, 1.6 milionë euro

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, tha se RTK-ja ka kursime në paga nga viti 2021-2024, të paktën 1.6 milionë euro.

Ai, para deputetëve të këtij komisioni tha se gjëja e fundit që kisha dashur të bëjë është  të kisha ardhur në këtë komisione  “me rrejtë”, që u përdor si fjalë.

“Ajo çfarë kam thënë edhe dy herë të tjera, të paktën në këtë komision është që pagat në RTK deri në vitin 2021 nuk kanë qenë në kategorinë e pagave, por kanë qenë të Shërbimit Kontraktues... kanë qenë 134 mijë euro, kemi pasur pasta shpenzimet për program, 789 mijë euro të cilat kanë qenë kryesisht paga për kontrata për shërbime. Pra forma se si ka raportuar RTK-ja në të kaluarën dhe që është marrë prej juve si komision është çështje që ju e keni diskutuar. Por sot të thuhet se ‘po rrejnë, po sjellin të dhëna të ndryshme’, besoj se kjo s’ka sens sepse e vërteta është kjo: RTK-ja ka kursime në paga nga viti 2021-2024, të paktën, 1.6 milionë euro, në mos më shumë se kaq”, tha Ahmetxhekaj.

Ai tutje tha se këto të dhëna verifikohen lehtë, ngase në vitin 2021 kanë qenë të raportuara në një formë tjetër.

Ahmetxhekaj duke iu drejtuar deputetëve të komisionit tha se “ju keni kërkuar që të gjitha të futen në kategorinë  e pagave dhe kjo tani po ndodhë dhe po aplikohet qe dy vitet e fundit”.

“Por ne nuk mund të japim llogari pse në të kaluarën dikush i ka futur në kategorinë tjetër dhe aludime të tilla nuk ishte dashur të ndodhin, sepse ne jemi duke raportuara për shifrat konkrete dhe të stafit që kemi aktualisht”, tha, mes tjerash, Ahmetxhekaj.

Boletini: Raportet e auditorit flasin për një progres në dy vitet e fundit

Kryetar i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, foli lidhur me gjetjet në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ai tha se duke u bazuar në raportet zyrtare të zyrës së auditimit shihet se ato tregojnë për një progres në dy vitet e fundit.

“Në vitin 2021, në raporti e auditimit për pasqyrat financiare, kur ne nuk kemi qenë në mandat,  ka pasur 8 gjetje, si bazë për opinion dhe 17 rekomandime, ndërsa në vitin 2022, kur ne kemi marrë mandatin, ka pasur 4 gjetje për opinion dhe 12 rekomandime, që prapë nuk them se është një përmirësim i duhur,  kurse në vitin 2023 ka një gjetje dhe 6 rekomandime, shihet një përmirësim, një angazhim”, tha ai.

Boletini foli edhe për procedurat e konkurseve, por tha se nuk ka ndonjë skandal të theksuar, dhe se edhe lëshimet e vogla do të evitohen. Ai tha se gjobat që do të shkaktohen në të ardhmen do t’i paguajnë ata që i bëjnë gabimet e jo dikush tjetër për ta.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja,  tha se ka një mospërputhje për shpenzimet në paga të RTK-së, në raportin që i është dërguar Kuvendit të Kosovës dhe këtij komisioni dhe kërkoi sqarime për këtë.

Kurse deputeti, Pal Lekaj, anëtar i komisionit nga AAK-ja, kërkoi raport për çdo punëtor të larguar apo dënuar nga RTK-ja.

Ahmetxhekaj: Të angazhuarit në Festivalin e Këngës s'janë punëtorë të RTK-së 

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, ka thënë se iu është drejtuar Administratës Tatimore të Kosovës për numrin e saktë të punëtorëve ndër vite në RTK, meqenëse sipas tij, nuk ka përputhje të numrave të saktë në mes dokumenteve të dorëzuara nga transmetuesi publik. Ai ka shtruar kritikat e tij edhe për dallimet në mes të numrit të pagave në dokumentet e ATK-së dhe të RTK-së.

Drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj ka përmendur angazhimin e stafit shtesë për edicionin e parë të Festivalit të Këngës.

“Vitin e kaluar në Festival i kemi pasur të angazhuar 130 ose 140 persona, instrumentistë, këngëtarë, e të ftuar. Në momentin që RTK bën një pagesë për ta, ajo regjistrohet në ATK, por kjo s’do të thotë se janë punëtorë të RTK-së. Numri i punëtorëve nuk ka se si të manipulohet”, ka deklaruar Ahmetxhekaj.

Ai ka përmendur edhe koncertin “Rrno për me tregue” dhe angazhimin e 50 – 60 artistëve me kontratë një mujore në shkurt si dhe pastaj në nëntor të vitit 2023.

Gjatë diskutimit është shtruar edhe çështja e kostos së veturave të RTK-së, të cilat aktualisht janë në përdorim si vetura me qira. Sipas Ahmetxhekajt, plani për blerjen e veturave është dorëzuar në Bord dhe vetëm po e pret aprovimin final. Përmes blerjes, sipas tij, do të arrihet një investim kapital shumëvjeçar për punën ditore të stafit.

“Duke pasur parasysh që me këtë buxhet të planifikuar (blerja e veturave) është pamundësi financiare, kalkulimet janë bërë që me mbi 500 mijë euro do të blihen 20 vetura. Ne kemi arritur të bëjmë një zgjedhje, në vend të pagesës në vlerë 8 mijë euro të veturave që aktualisht jemi duke i përdorur, në moment që ndërpritet ta bëjmë pagesën (për blerje) të lloj këstit të ‘leasing financiar’. E kemi bërë një lloj mundësie nga shpenzime në investime kapitale”, ka thënë zyrtari kryesor financiar në RTK.


MË SHUME NGA Lajme