`Udhëve`- Gjykata `amniston` dhunuesin |VIDEO
K.R/RTK-Udhëve
Emisioni Udhëve në RTK ka hulumtuar për rastin dhunimit, të cilin gjykata “ka amnistuar” dhunuesin, duke bërë që viktima e dhunimit të ketë humbur besimin në sistemin e drejtësisë.
Viktima tregon përjetimet e saj më të tmerrshme të jetës së saj nga ish-dashnori i saj në prill të vitit 2023.
“Më ka çuar në motel edhe ka përdorur dhunë fizike, seksuale... krejt i ka përdorur. Kam tentuar të ikë por prapë më ka zënë, më ka futur në ker duke më rrahur”, tha viktima, teksa nuk e dinte nëse do të jetonte ose jo, për shkak të kërcënimeve që i bënte duke përdorur edhe armën.
Viktima ishte ekzaminuar po atë natë edhe nga mjeku gjinekolog dhe mjeku ligjor të cilët kishin konsatuar dëmtime në pjesën vaginale.
Por, më gjithë ekspertizat nga Klinika e Gjinekologjisë, si dhe nga Mjekësia Ligjore, nuk i kishin mjaftuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë për të kualifikuar rastin si “Dhunim”, por kishte kërkuar edhe ekspertizë të AND-së, e cila sipas Gjykatës do të vërtetonte nëse kishte ose jo dhunim.
“Më ka lënë te shoqja edhe aty e kam thirrur policinë, s’kam shkuar askund, po drejt në spital. Krejt ku i kam pasur dëmtimet m’i kanë bë analizat. Krejt, ku kam pasur hematoma…Gjykata ka thanë që e lypin një përgjigje prej mostrës së AND-në”.
Në dokumentet e siguruara nga emisioni UDHËVE, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në dy seanca të ndara kishte kërkuar që të bëhej një super ekspertizë, pasi që për të ishte e pa pranuar ekspertiza e AND-së.
Por një e tillë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me arsyetimin se e vetmja ekspertizë e pranueshme ishte ajo e Forenzikës mbi të gjeturat e AND-së.
“Bënte hajgare me prokuroren, se kishe çka je duke lypur super ekspertizë, ju ka dukur e pa pranueshme edhe e kanë kundërshtuar menjëherë”, rrëfen viktima.
Një gjë e tillë vërtetohet edhe në shkresat e seancave gjyqësore.
“Giykata rikujton palët se në këtë rast nuk ka dy ekspertiza të njëjta, por është vetëm një ekspertizë, pra ekspertiza e dt.20.05.2024 dhe nuk qëndron në asnjë mënyrë pretendimi i Prokurorisë se ka kundërthënie në mes ekspertizave, duke qenë se ishte vetëm një ekspertizë lidhur me ekzaminimin e gjurmëve të ADN-së…Për më tepër trupit gjykues, pa dashur të nxjerrë një përfundim për këtë ekspertize, megjithatë nuk shohim se ka ndonjë paqartësi, dy kuptimësi apo diçka të pakuptueshëm, sa i përket rezultatit te ekzaminimit trupi gjykues do të japë mendimin e saj në vendimin përfundimtar për çështjen”, thuhet në shkresë.
Por, për mjeken Bergita Curri, nga Instituti I Mjekësisë Ligjore, një analizë e tillë është komplet jo relevante dhe është në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike.
“Në momentin që e kemi AND-në është njëjtë si të kesh një dokument identifikimi.. Mungesa e AND-së nuk e përjashton dhunimin për shkak të rrethanave se si ndodhë dhunimi… duhet të jetë ndonjë arsyetim i fortë dhe i besueshëm për ta eliminuar elementin e dhunimit e që unë e shoh të pa mundur me ato lëndime”, ka thënë Curri.
Në mungesë të AND-së, Gjykata Themelore në Mitrovicë me kryetar të Trupit Gjykues, Avni Mehmeti, e ka rikualifikuar lëndën nga ‘Dhunim’, në ‘Lëndim të lehtë trupor’.
Kjo Gjykatë këtë rikualifikim të veprës penale, përveç në Aktvendimin Lirues të të akuzuarit, e ka konfirmuar edhe përmes emailit për emisionin UDHËVE.
“Gjykata Themelore Mitrovicë: “Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e ka ri- kualifikuar veprën penale në aktakuzë nga vepra penale Dhunimi sipas nenit 227 par.4 pika 4.2 dhe 4.4 lidhur me nenin 1 e me nenin 77 te KPRK-se, në veprën penale; Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.1 nën par 1.4 të KPRK-së, sepse nga provat materiale dhe shkencore nuk është provuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të dhunimit”, citohet në letër.
Vepra penale e Dhunimit sipas aktakuzës është e dënueshme nga 5 deri në 15 vite burgim, gjithashtu duke shtuar edhe Veprën Penale për armëmbajtje pa leje, e cila dënohet deri ne 5 vjet burgim.
Gjykata, përveë që ka rikualifikuar veprën, ka proceduar edhe me dënim minimal.
“Gjykata e ka shpall fajtor dhe e ka dënuar të pandehurin E.P për veprën penale; Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj. Ndërsa, për veprën penale; Mbajtje në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj. Sipas nenit 76 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të pandehurit E.P i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej një (1) vit e tetë (8) muaj”, thuhet në e-mailin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Për viktimën një vendim i tillë është i papranueshëm.
“ Për veprën e ‘Dhunimit’ nuk u ndal as një pikë, por vetëm për ‘Lëndime të lehta trupore’ dhe e ka liruar menjëherë me seancën e fundit, por me faktet kryesore nuk u bazua asnjë pikë. Çdo fakt i deklaratës u gjet, por unë nuk e di çka ka mundur me e shty Gjykatën mos me më besuar mua, përderisa një dhunuesi i ka besuar dhe jo mua”, u shpreh viktima.
Për këtë rast nuk kanë pranuar të komentojnë as në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, duke thënë se presin vendimin e arsyetuar me shkrim nga ana e Gjykatës.
Avokati Yll Zekaj së fundi është autorizuar nga familja që të bëjë ankesë në lidhje me vendimin që ka marrë Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Ai thotë se një vendim i tillë është i pabazuar dhe i paqëndrueshëm.
“Sipas nesh, një vendim i tillë nuk mund të qëndrojë, pasi që nga shkresat e lëndës shihet provohet saktë që ka pas elemente të dhunimit”, ka thënë për emisionin Udhëve.
Viktima ndjehet e dhunuar për herë të tretë. Kësaj radhe, nga sistemi I drejtësisë, për të cilin ajo thotë se pati shumë besim kur kishte filluar procesi gjyqësor.
“Në sistem të drejtësisë as edhe një pikë nuk kam besim, Jam e zhgënjyer deri në pikën e fundit, përderisa një dhunues është duke u sjellë i lirë sikurse unë. Për të dytën herë gjykata ma ka bërë të njëjtin sen”, u shpreh viktima.























