18:38 / 02.07.2024
Konjufca me deputetë merr pjesë në varrimin e Kadaresë
F.S / RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga deputetë të Kuvendit, të mërkurën më 3 korrik, do të bëjë homazhe dhe do të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të Lamtumirës, që organizohen në Tiranë në nderim të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare.
Ndryshe në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të hëne, qeveria shqiptare ka vendosur shpalljen ditë zie kombëtare të martën dhe të mërkurën (2 dhe 3 korrik).
Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore për shkrimtarin e ndjerë do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Tiranë më 3 korrik, nga ora 9:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30.























