Krasniqi: Vdekja e Kadaresë është një humbje për lexuesit kudo në botë
Adea Mustafaj | RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së), Memli Krasniqi ka deklaruar se vdekja e Ismail Kadaresë është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, shtetin e popullit shqiptar, por edhe për lexuesit kudo në botë.
Krasniqi sot në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në emrin e tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të kolosit të letërsisë shqipe – Ismail Kadare.
Krasniqi u shpreh se kujtimi për Kadaren do të jetë i përhershëm, ashtu si krijimtaria e tij, pasi në raftet e librave të secilës shtëpi ku flitet shqip, gjithmonë do të jetë së paku një libër i tij.
“Pena, imagjinata dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë na frymëzoi e na edukoi ndër breza. Ai u bë shkrimtari protagonist i letërsisë, qytetërimit dhe mendimit shqiptar, duke e popullarizuar letërsinë shqipe dhe historinë e kulturën e Shqipërisë dhe shqiptarëve në përmasa evropiane dhe botërore”, u shpreh ai.























