Osmani: Partneriteti me UNICEF-in, i rëndësishëm në përkrahjen e fëmijëve
V.Thaçi / RTKlive
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashchenko, të cilën e ka përgëzuar për detyrën, duke uruar për vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv.
Zyra e presidentes përmes një komunikate për media njofton se në këtë takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e përpjekjeve për ta përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në Kosovë.
Sipas komunikatës Osmani ka potencuar se partneriteti me UNICEF-in, është i rëndësishëm për zbatimin e programeve dhe politikave që mbështesin zhvillimin dhe mbrojtjen gjithëpërfshirëse të fëmijëve.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani vuri në dukje përpjekjet për qasjen e fëmijëve në arsim cilësor dhe fuqizimin e mirëqenies së tyre.
Gjatë takimit, në veçanti u diskutua për projekte në përkrahje të edukimit të hershëm të fëmijëve, mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e fëmijëve.
Presidentja Osmani, ndër të tjera, në këtë takim shtroi nevojën e zbatimit të programeve të fokusuara tek fëmijët dhe promovimi i barazisë gjinore në të gjithë sektorët.























