Partitë opozitare i reagojnë Mujës për pagën mesatare
B. H. | RTKlive
Deklarata e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja për rritjen e pagës mesatare në Kosovë në 780 nën qeverisjen e subjektit të tij politik ka ngjallur reagimin e partive opozitare.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, i ka reaguar kryetarit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, i cili në një intervistë për EO ka folur për rritje prej rreth 30 për qind të pagave në sektorin publik prejse Vetëvendosje ka ardhur në pushtet.
Mustafa ka theksuar se edhe nëse ka rritje të vogël, ajo nuk e kompenson rritjen e çmimeve.
Sipas Mustafës, të dhënat tregojnë që Kosova ka nivelin më të ulët të pagave në rajon.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke i ka reaguar Mujës, ka thënë se paga i është rritur kryeministrit, ministrave, këshilltarëve, asistentëve e shoferëve të tyre, por jo qytetarëve.
“Unë pyes qytetarët sa prej jush keni pasë ngritje page 200 euro nga viti 2019 në 2024? Pothuaj asnjë. Sa prej jush paguani çmime me të larta për së paku 50% për secilin artikull të konsumit të përditshëm? Të gjithë”, ka shkruar ajo në Facebook, teksa ka thënë se qytetarëve paga do t’u rritet vetëm me qeverisjen e LDK-së.
Edhe shefi i Grupit Parlementar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur këtë manipulim me statistika nga partia në pushtet.
“E vërteta është se rritjen më të madhe të pagesës e kanë pozitat politike, këshilltarët e kabinetit dhe anëtarët e kuvendeve komunale”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Deputeti i VV-së, Armend Muja ka thënë që pret që buxheti për vitin 2025 të jetë 3.2 miliardë euro, derisa sipas tij krahasuar me vitin 2020, ka dyfishim të të hyrave buxhetore.























