Ahmetxhekaj: I kam shërbyer për 30 muaj me sukses fuqizimit të RTK-së
RTK
(Plotësuar) Drejtori i dorëhequr Shkumbin Ahmetxhekaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se për 30 muaj në menaxhim të RTK-së, pavarësisht shkurtimit buxhetor, i ka shërbyer me sukses fuqizimit dhe rritjes së kredibilitetit të RTK-së.
Ai ka thënë se dorëheqja e tij është e pazakontë, pasi me të arriturat e RTK-së është pajtuar edhe Bordi. Ahmetxhekaj ka falënderuar miqtë dhe partnerët për bashkëpunimin dhe besimin gjatë kësaj periudhe, si dhe ka uruar që RTK-ja të zhvillohet dhe transformohet ashtu siç e pret publiku, thuhet mes tjerash në letrën e Ahmetxhekajt pas dorëheqjes.
E pas dorëheqjes së Ahmetxhekajt ka reaguar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Dua të theksoj rëndësinë e një transmetuesi publik që gëzon autonomi institucionale dhe pavarësi editoriale. Gjithashtu dua t'i shpreh mirënjohjen time Shkumbin Ahmetxhekajt për përpjekjet e tij në përmirësimin e menaxhimit financiar të RTK-së. BE-ja në Kosovë pret që Drejtori i ri i Përgjithshëm të emërohet përmes një procesi të bazuar në merita”, ka theksuar Szunyog.























