Osmani udhëton në Uashington, pjesë e aktiviteteve të Samitit të NATO-s
K. K. / RTKlive
Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, ka udhëtuar për në Uashington. Ajo do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Zyra e presidentes përmes një komunikate për medie njofton se, duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende në nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndër të tjera, thuhet se gjatë qëndrimit në Uashington, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete dhe takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë.
Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e tre partnerëve globalë nga Zyra e sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill të këtij viti gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Samiti i NATO-s në Uashington D. C. shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë për çështjet të sigurisë globale dhe ta riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.























