Zyrapi: SHP i UÇK-së s’ka arritur t’i plotësojë kapacitetet e nevojshme
SH.Ç/RTKlive
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës dëshmon, Bislim Zyrapi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit përmes avokates Venkatesëari Alagnedra, dëshmitari ka theksuar se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka arritur që t’i plotësojë kapacitetet e nevojshme gjatë luftës.
“Në përgjithësi, drejtoritë edhe në këtë kohë kanë qenë jo të plotesume, jo veç njona, dy e tri po asnjona. Shtabi nuk ka arritur t’i plotëson të gjitha kapacitetet e nevojshme për këtë Shtab. Kemi shku me ato çka kemi pasur, me çka kemi qenë në dispozicione e që kemi mujtë të punojmë”, ka theksuar Zyrapi.
Ai ka deklaruar se sa i takon informimit në struktura është bërë gjatë takimeve duke shtuar se ata nuk kanë mundur që t’i profesionalizojnë të gjitha sektorët.
“Informimi zakonisht në atë kohë ka qenë siç e ceka edhe më herët siç shifet edhe në mbajtjen e takimeve, gjithnjë me problemet e furnizimit, resurseve e të gjithave që nevojitet. Në fakt, në normale përveç kësaj duhet të jetë edhe aspekti i profesionalizimit të këtyre drejtorive. Kur them profesionalizimit është edhe pjesa e trajnimeve dhe aftësimeve të njësive edhe më poshtë të këtyre sektorëve. Po, ne nuk kemi arritur të gjitha këto t’i bëjmë. Ne vetëm disa sektorë kemi mujtë t’i arrisimi, t’i përgatisim një pjesë të këtyre drejtimeve por të gjitha jo”, ka thënë ai.
Dëshmitari Zyrapi ka theksuae se në krye të drejtorisë së personelit në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm ishte emëruar Adem Grabovci.
Sipas tij, për emërimet në pozita të ndryshme janë bërë propozime.
“Të gjitha këto nuk kemi mujt t’i bëjmë në atë kohë për arsye se edhe drejtoritë nuk kanë qenë të para, edhe nuk kanë pas resurse që t’i kem gjitha këto mundësi t’i bëjmë. Ato sa herë janë dhënë mendimet se çdo herë janë propozu nga zonat, komandantëve e zonave ose brigadave që të emërohen dikush në detyrat sipas vlerësimeve të tyre. Tek ne në shtab, ne kemi mujtë t’i vlerësojmë, komandantët e brigadave dhe zonave që mund të vendosen në ato pozicione”, ka thënë Zyrapi.
Zyrapi Ka thënë se komandantët e zonave dhe brigadave propozohen nga zonat dhe brigadat e që pastaj emërimet mund të bëhen nga strukturat më të larta. Kurse, pozitat në njësi më të vogla ai tha se i bënë komandanti i zonës ose brigadës në vartësi të nevojave që ka.
Disa materiale që i prezantuan dëshmitarit, Alagendra kërkoi që të pranohen në prova materiale për çka nuk pati kundërshtime dhe kjo u aprovua.
Një pjesë e seancës kaloi në sesion privat me kërkesën e Alagendras për t’ia bërë dëshmitarit disa pyetje.
Për sot Zyrapi mbaroi dëshminë, ndërsa pritet që të vazhdojë serish të hënën më 15 korrik.