Szunyog:Na vjen keq që Kuvendi s’arriti të përafrohet me standardet e BE-së
M.P. / RTKlive
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka shprehur shqetësimin e tij për votimin e ligjin për KPM-në dhe KPK-në, duke thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur t’i adresojë shqetësimet e BE-së.
“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t'i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe evropiane”, ka shkruar ai në X.
Tutje ambasadori ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka humbur mundësinë për të pasur “dy ligje të mira”, duke dështuar në inkorporimin e plotë të rekomandimeve të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
“Sa i përket projektligjit për funksionarët publikë, i bëj thirrje Kuvendit që t'i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për t'u siguruar që ai të përmbushë standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme”, ka vazhduar më tej.
























