Ka vazhduar në Speciale seanca gjyqësore ku edhe sot dëshmoi Bislim Zyrapi
Gjykata Speciale

Ka vazhduar në Speciale seanca gjyqësore ku edhe sot dëshmoi Bislim Zyrapi

Arlinda Sejda / RTK

Në fillim të seancës së sotme në Speciale, fjalën e mori Aiden Ellis, avokat i Jakup Krasniqit. Ai u fokusua në dokumentet e shumta që janë ofruar në këtë proces gjyqësor për të cilat Prokuroria kishte pretenduar se janë gjetur në kompjuterin e Jakup Krasniqit.

“Sa i takon kundërshtimit që kemi është që Prokuroria nuk provon dot që dokumentet janë të besueshme apo autentike. Shumë dokumente janë paraqitur dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor si dokumente të cilat janë sekuestruar nga Jakup Krasniqi pa specifikuar se janë dokumente elektronike nga kompjuteri. Dëshmitarët, pjesa dërrmuese e tyre kanë thënë që është hera e parë që i kanë parë këto dokumente. Kështu që qëndrimi ynë është që nuk ka arsye të mjaftueshme për të treguar autenticitetin e dokumenteve. Qëndrimi ynë është që Prokuroria duhet të ketë provë strikte për të gjitha këto çështje. Barra e provës i takon Prokurorisë”, ka thënë Aiden Ellis, avokat i Jakup Krasniqit.

Mbrojtja tha se shtëpiza e kompjuterit kishte destinim tjetër dhe ishte shndërruar në mjet për ngrohje. Kundërpërgjigje për avokatin e Krasniqit pati nga Prokuroria.

"Sigurisht që disa dokumente janë gjetur në posedim të z. Krasniqi dhe në atë çfarë mendohet që ka qenë një aparat ose një kompjuter që është përdorur në atë kohë, ne mendojmë që është relevante dhe shton vlerë provuese sa i takon njohurisë së të akuzuarit për këto materiale. Megjithatë zakonisht ky është një faktor në midis faktorëve të tjerë duke përfshirë këtu marrëdhënien ndërmjet dokumenteve të gjetura në kompjuter dhe dokumenteve të gjetura në version të shtypur në posedimin e z. Krasniqit", ka thënë Clare Lawson, prokurore.

Gjatë ditës duke iu përgjigjur pyetjeve të avokates së Jakup Krasniqit dëshmitari Bislim Zyrapi tha se shtabi i përgjithshëm nuk i ka plotësuar kapacitetet e nevojshme gjatë luftës, ndërsa për emërimet në pozita, dëshmitari tha se janë bërë propozime.

"Në bazë të këtij dokumenti mund të themi se nuk ka pasur mbledhje Shtabi i Përgjithshëm nga korriku i 99-tës”, ka pyetur Venkatesëari Alagnedra, avokate e Jakup Krasniqit.

“Sa mbaj mend këto ditë janë të luftimeve dhe nuk kemi mundur të mbajmë mbledhje me rend të ditës dhe të raportojmë të gjitha problemet", është përgjigjur Zyrapi.

Dëshmitari Bislim Zyrapi, pritet që të vazhdojë dëshminë serish të hënën .


MË SHUME NGA Gjykata Speciale