Temperaturat e larta, personat e ndjeshëm t’u shmangen rrezeve të diellit
Në Fokus

Temperaturat e larta, personat e ndjeshëm t’u shmangen rrezeve të diellit

Arbenita Marmullaku|RTK-Radio

Temperatura me nxehtësi ekstreme po mbretërojnë në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dhënë disa rekomandime që të kenë kujdes gratë shtatzëna, ata më sëmundje kronike, si dhe për punëtorët e tjerë të sigurohen hapësira me klima e më ujë të mjaftueshëm.

Megjithëkëtë këto masa ende nuk janë miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ekspertë mjedisorë thanë se duhet reaguar qeveritarët, sepse është ndezur alarmi i kuq.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë, që të marrë disa masa lidhur me temperaturat ekstreme që po mbretërojnë në vend.

Doktor Faik Hoti, nga IKSHPK, i tha Radio Kosovës se gratë shtatzëna dhe personat e ndjeshëm ndaj temperaturave të nxehta duhet t’u shmangen rrezeve të diellit nga ora 11:00 deri në 16:00. Ai foli për rekomandimet që i ka dhënë ky institut.

”IKSHPK, ka rekomanduar që të ketë një orar me fleksibil të punës që nënkupton lejimin e punëtorëve të fillojnë punën më herët në mëngjes nëse kanë mundësi apo edhe nga shtëpia, shtatzëna të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë ose të punojnë nga shtëpia, personat me sëmundje kronike ose gjendje shëndetësore më të keqe të lejohen të punojnë nga shtëpia, të sigurohet klimatizimi i nevojshëm në vende të punës në hapësira të mbyllura,  të sigurohet qasje me ujë të ftohtë për punëtorët si dhe në vazhdimësi popullata të informohet dhe të jepen rekomandime se si duhet ruajtur nga i nxehti që po mbretëron dhe nga komplikimet e mundshme”, tha ai.

Por Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka miratuar këto rekomandime. Radio Kosova ka kërkuar përgjigje se kur do të miratohen masat e rekomanduar nga ISHPK, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Agron Bektashi, ekspert i mjedisit, tha se është ndezur alarmi i kuq nga temperaturat e larta ndërsa qeveritarët nuk kanë marrë ende asnjë masë. Ai tha se këto temperatura janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

“Qeveria ish dashtë të intervenojë dhe të bëjë një listë për personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët ndër 7 vjet, njerëz të sëmurë kronikë nëse shkojnë temperaturat 35 ose 36 gradë celsius, njerëzit lë të punojnë nga shtëpia, ta vendosin një alarm të kuq me masa rekomanduese”, tha ai.

Ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë thirrje për kujdes dhe shmangie të kontaktit direkt me rrezet e diellit, pasi temperaturat ditëve në vijim pritet të shkojnë nga 37 deri në 40 gradë celsius.

 


MË SHUME NGA Në Fokus