Ligji për KPM-në mes kritikave |VIDEO
Edona Podvorica / RTK
Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, i votuar në seancën e së e enjtes nga deputetet e pozitës, por i kundërshtuar nga ata të opozitës, veç tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro, në rast të shkeljeve të mundshme që i parasheh ky ligj.
Kjo përfshin edhe rastet kur raportet vjetore nuk dorëzohen me kohë, ruajtjen e arkivës së transmetimeve e specifika të tjera.
Rrjedhimisht mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja. Kjo nënkupton regjistrimin me certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve dhe vërtetim nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, projektligji që u miratua me votën e 59 deputetëve është goditje ndaj lirisë së medias dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre.
“Konsiderojmë që nuk është ende koha që KPM të monitoroj, të kontrolloj dhe rrjedhimisht të gjobis mediat online, sepse konsiderojmë që ky komision nuk është i pavarur politikisht, sepse tradiocionalisht ka qenë i kapur dhe i influencuar nga partitë në pushtet, as tash me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për ta kontrolluar", ka thënë Xhemajl Rexha- Kryetar i AGK-së.
Edhe juristja e mediave, Flutura Kusari thotë se sulmi më i madh ndaj pluralizmit dhe lirisë së mediave është mënyra e përbërjes dhe funksionimit të KPM-së.
“Të gjithë garancionet për pavarësinë e komisionit janë zhdukur me këtë ligj, për shkak se numri nga 7 deri në 11 i anëtarëve , ata do të mund të qëndrojnë në këtë pozitë deri në një dekadë, do të mund të shkarkohen lehtësisht nëse nuk i binden partisë, dhe në qoftë se partia humbë besimin në ta”, ka thënë Kusari.
Por, kryetari i Komisionit për Media, njëherësh deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, thotë se asnjë prej reagimeve në lidhje me miratimin e këtij projektligji, nuk janë argumentuese.
Partitë opozitare tashmë kanë paralajmëruar dërgimin e projektligjit në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa reagimeve të shumta, iu përgjigj Qeveria e Kosovës e cila tha se Projektligji për KPM-në respekton Direktivën e BE-së, është i harmonizuar me legjislacionet që janë në fuqi dhe siguron zbatimin e të drejtave të garantuarave përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM.























