Llapi pëson humbje edhe në "Zahir Pajaziti", eliminohet nga Liga e Evropës
B. H. | RTKlive
(Plotësuar - 18:20) Skuadra e Llapit është eliminuar nga Liga e Evropës, pasi ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e kthimit në rrethin e parë kualifikues kundër skuadrës polake, Wisla Krakow. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” u mbyll me shifrat 1:2 në dobi të mysafirëve. Polakët kishin fituar edhe në ndeshjen e parë, 2:0.
Llapi tashmë aventurën evropiane do ta vazhdojë në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të ballafaqohet me Brondbyn, më 25 korrik.
Skuadra e Tahir Batatinës pati paraqitje të mirë në pjesën e parë dhe krijoi disa mundësi të mira, por nuk arriti të gjejë rrugën e golit.
Llapjanët nuk e patën mbështetjen e tifozëve, për shkak se para dy vjetësh ishin dënuar nga UEFA.
Polakët e zhbllokuan rezultatin në pjesën e dytë përmes Angel Rodados. Shifrat i barazoi Ardit Tahiri në minutën e 74-t. Mirëpo, në momentet kur llapjanët u vërsulën me të gjitha forcat në sulm pësuan edhe golin e dytë. Ishte Giannis Kiakosqë shënoi në minutën e 90-të për rezultatin përfundimtar, 2:1.
Llapi mbizotëron ndaj Wisla Krakow, por nuk e gjen golin në pjesën e parë
Llapi ka mbizotëruar në pjesën e parë të ndeshjes së kthimit kundër Wisla Krakowit në rrethin e parë kualifikues në Ligën e Evropës, por nuk ka arritur të gjejë golin.
Kaptina e parë e këtij dueli që po zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, pa praninë e tifozëve, është mbyllur pa gola (0:0). Kjo ndeshje po transmetohet ekskluzivisht në RTK 1.
Në ndeshjen e parë llapjanët pësuan humbje 2:0 në Poloni, por në ndeshjen e sotme djelmoshat e Tahir Batatinës kanë kërcënuar disa herë portën polake, por pa arritur të gjejnë rrugën e golit.























