Durmishi thotë se janë arrestuar zyrtarë të njësisë për patentë shoferë
V.Th. /RTKlive
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se në Pejë janë arrestuar disa zyrtarë të njësisë për patentë shoferë.
Ai përmes një video ka theksuar se janë të pa kompromise në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në njësinë për patentë shoferë dhe uron se të gjithë të marrin dënimin e merituar.
“Porsa mora lajmin se në Pejë kanë ndodhur arrestime të zyrtarëve, të cilët kanë punuar më parë në regjistrimin me patentëshoferë, ne me kohë i kemi denoncuar këto raste, kohë më parë me datën 2 shkurt kemi mbajtur edhe një konferencë për media ku i kemi paraqitur të gjitha gjetjet, që kanë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin në njësinë për patentëshoferë në Pejë”, ka thënë Durmishi.
Ai falënderoi organet e drejtësisë për veprimet që kanë ndërmarr deri më tani. “Shpresoj që e gjithë kjo do të shkojë deri në fund dhe të gjithë të marrin dënimin e merituar, ne jemi të pakompromis në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Unë sot gjatë ditës, do ta bëj edhe një vizitë në Qendrën për patentëshoferë në Pejë për të parë se atje po zhvillohet puna normalisht”, theksoi zëvendësministri Durmishi.























