Haxhiu: Prokuroria po tenton të më pengojë në punën time
E.P & M.Sh/RTKlive
(E plotësuar, ora 16:20) Pas dy orë intervistimi nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë tha se Prokuroria po mundohet ta pengoj në kryerjen e punëve të saj dhe të Qeverisë.
“Siç e dini me urdhër të PSRK, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, që ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj, etj, me ç’rast ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën, por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi”, tha Haxhiu.
Sipas saj, dikujt po i pengon kjo, derisa Prokuroria Speciale, siç tha Haxhiu, po tenton ta pengojë në punën e saj.
“...me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”, tha Haxhiu.
Për rastin e dytë të Faton Hajrizit, ajo thotë se reagimi ka ardhur në faxebook pas analizave të shumta edhe me policinë dhe inteligjencën.
“Reagimi im nuk vjen si një deklarim i mendimi personal, por pas takimeve të shumta që i kemi pas sidomos pas largimit të Faton Hajrizit në Smrekonicë. Pas këtij rasti, kemi mbledhur edhe policinë dhe institucionet e inteligjencës, tha Haxhiu sipas të cilës, Prokuroria reagon vetëm pasi ajo të shkruaj në rrjetet sociale.
“Prokuroria rri më shumë ne profile të mia në rrjete sociale sesa që merret me punë me përgjegjësitë që ka. Është për t’u duartrokitur që më përcjellin edhe në debate televizive”, tha ajo.
Haxhiu në Polici e ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim
Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sapo ka arritur në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës, ku do te vazhdojë intervistimin nga Prokuroria Speciale.
Vazhdon sot intervistimi i ministres Haxhiu nga Prokuroria Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të vazhdojë intervistimin sot në ora 13:00 nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Kështu kanë deklaruar për RTK-në zyrtarë nga ky institucion.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se me autorizim të Prokurorisë Speciale është intervistuar dje ministrja Haxhiu me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus” më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës.
Kujtojmë se ministrja Haxhiu të shtunën në profilin e saj në Facebook, tha se shteti i Serbisë po cyt dhe organizon arratisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, ka shkruar Haxhiu.























