Mbaron bastisja në tre qytete, pesë të arrestuar për `mashtrim me bitcoina`
M.Sh. dhe M.P. /RTKlive
(E përditësuar 13:30) Pesë persona, njëri prej tyre zyrtar i Shërbimit Korrektues janë arrestuar pas aksionit disa orësh të Policisë së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Bëhet e ditur se aksioni është shtrirë me bastisje në pesë lokacione të tre qyteteve.
“Në kuadër të këtij aksioni, janë kryer bastisje në pesë (5) lokacione, përkatësisht në Prishtinë, Kamenicë dhe në Viti, ku fillimisht janë arrestuar pesë persona të dyshuar, prej tyre një zyrtar i Shërbimit Korrektues, ndërsa pas intervistimit të tyre në stacion policor, të njëjtit janë dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh nga Prokurori i Shtetit, për shkak të veprës penale ‘Mashtrimi’, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.
Rasti më konkretisht ka të bëjë me mashtrim me bitcoina, teksa gjatë bastisjes janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.
“Personat me inicialet: B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave. Në këtë çështje penale janë në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse”, thuhet në komunikatën e përbashkët të policisë dhe prokurorisë.
Aksion i policisë kundër mashtruesve, vazhdon bastisja në disa lokacione
Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës është duke realizuar një aksion, mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.
Sipas njoftimit për media, bastisjet janë duke u zhvilluar në disa lokacione.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, si dhe pas aprovimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, është duke realizuar një aksion, me ç’ rast janë duke u bërë bastisje në disa lokacione, mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit”, thuhet në njoftim.
Për zhvillimet rreth këtij aksioni, prokuroria thotë se do të njoftojë me kohë opinion.























