Kurti kërkon hetim për rastin e Hajrizit: Mos bini pre e euforisë
BKT
Lajme

Kurti kërkon hetim për rastin e Hajrizit: Mos bini pre e euforisë

A.B. & M.P. / RTK

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë rasti i Faton Hajrizit kërkon hetim vendor dhe ndërkombëtar, teksa ka bërë thirrje që të mos gjykohet situata me eufori.

"Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e Faton Hajrizit. Institucionet tona janë përpjekur që të transmetojnë informacione zyrtare. Nga Ministria e Jashtme jemi njoftuar se autoritetet serbe me datë 22 korrik kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi. Të njëjtat shenja së bashku me shenjat e Faton Hajrizit janë përcjellë për në Forenzikë. Pas Forenzikës ka rezultuar se këto shenja i përkasin qytetarit të Kosovës. Sqarimi i rrethanave, që nga ikja drejt Serbisë e deri te vrasja e tij kërkon një hetim vendor e ndërkombëtar", tha kryeministri.

Ai ka thënë se institucionet vendore po përpiqen për sigurimin e informacioneve zyrtare lidhur me rastin.

“I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bijnë pre e euforisë së heroizmit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Bansjkë të Zveçanit, janë 28 pjesëtarë të Policisë të Kosovës të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme