Gërvalla për rastin Hajrizi: Kërkuam hetim ndërkombëtar
Në Fokus

Gërvalla për rastin Hajrizi: Kërkuam hetim ndërkombëtar

V.Th & M.P. / RTKlive

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se kanë bërë thirrje te bashkësia ndërkombëtare për ndihmë rreth sqarimit të rrethanave të rastit të Faton Hajrizit.

“Pa dashur të paragjykoj asgjë që ka ndodhur në Serbi, sepse jam e sigurt që nuk e dimë të gjithë të vërtetën dhe prandaj do të presim se si të rrjedhin, i kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, misioneve diplomatike edhe misionit të BE-së në Beograd që të na ndihmojnë në sqarimin e kësaj çështje në zbardhjen e të vërtetës, nuk mund të japë më shumë siguri dhe garancë informacione përtej asaj që kemi deklaruar deri më tani”, tha Gërvalla.

Tutje Gërvalla ka thënë se është shumë e rëndësishme të dihet e vërteta, sepse një qytetar i Kosovës pretendohet se ka vdekur duke kaluar nëpër Serbi. Ajo ka shtuar se duhet hulumtim ndërkombëtar dhe jo vetëm vendor.

“Avokati i familjes do të ketë mbështetjen institucionale jo vetëm në Kosovë, por edhe misionit që kemi në Beograd. Unë nuk e di nëse avokati ende ka kontaktuar me përfaqësuesin tonë, ambasadorin Jetish Jashari. Jam e sigurt që problemi më i vogël i avokatit do të jetë bashkëpunimi dhe gatishmëria e institucioneve për t’i qëndruar në krahë aty ku kemi mundësi”, ka thënë ajo para mediave.

Tutje ministrja ka thënë se përtej rastit të Faton Hajrizit, deri më tani janë dhjetëra raste kur kalimi i kosovarëve nëpër Serbi përcjellet me problematika të shumta deri në arrestime.

“Është e vërtetë që jo vetëm tani në rastin e Faton Hajrizit, por edhe nëpër shumë raste të tjera, kalimi nëpër Serbi ka qenë i mbushur me probleme. Kemi disa arrestime të cilat janë krejtësisht arbitrare, për të cilat madje Serbia s’ka asnjë lloj legjislacioni për t’i ndjekur. Thirrjet tona dhe të partnerëve tanë nuk kanë munguar asnjëherë sepse mendojmë që duhet të jetë një temë më prezentë në tavolinat tona”, ka thënë ajo në konferencën për media.


MË SHUME NGA Në Fokus