OJQ dhe aktivistë: Të dorëhiqet Bordi i RTK-së
RTKlive
Disa organizata dhe aktivistë në vend kanë kërkuar dorëheqjen e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës pas situatës së krijuar nga publikimi i një lajmi në RTK, të marrë nga media boshnjake, “Slobodna Bosna”.
Në një komunikatë të përbashkët, organizatat e aktivistët i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë siç thonë ata, luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij.
“Është tejet shqetësues fakti që artikullin dezinformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si ‘kontravers’ dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë”- thuhet në komunikatë.
Pjesë e Organizatave dhe aktivistët që nënshkruan këtë kërkesë janë: Lëvizja FOL, Kosovo Laë Institute, KDI, INPO, YIHR KS, AGK, PIPS, Democracy Plus, QIKA, INDEP, EPIK Institute, KIPRED, Imer Mushkolaj, Flutura Kusari, Ramadan Ilazi, Agon Maliqi, Instituti"Musine Kokalari",sbunker, D4D, Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Ndërkohë ka reaguar edhe rrjeti Safe Journalists.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre”, thuhet në reagimin e tyre.























