Flamuri Kosovës u valvit në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike
Uran Krasniqi/RTKLive
Ekipi i Kosovës ka parakaluar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024.
Për herë të parë në historinë e Lojërave Olimpike ceremonia e hapjes është bërë në një lum. Flamuri i Kosovës është mbajtur nga xhudistët Nora dhe Akil Gjakova.
Ceremonia është duke u transmetuar aktualisht në RTK1.
Në ceremoninë janë të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.
Parakalimi i ekipeve po zhvillohet sipas renditjes alfabetike të shteteve.
Lojërat Olimpike Verore ‘Paris 2024’ do të zgjasin deri më 11 gusht, derisa në to marrin pjesë 206 vende me rreth 10,500 garues. Sportistët do të konkurrojnë në 329 gara në 32 sporte, shumë prej këtyre garave do të transmetohen në RTK.
Garat e kësaj Olimpiade do të zhvillohen në 35 vende të ndryshme në Francë, por shumica e ngjarjeve do të zhvillohen në Paris, me vende të njohura si ‘Stade de France’ për atletikë, ‘Bercy Arena’ për gjimnastikë dhe trampoline dhe fusha te Kulla Eiffel për volejboll plazhi. Ndërkaq, disa ngjarje do të zhvillohen jashtë Parisit, siç janë garat e surfingut në Tahiti.
.