`Rame Lahaj - Friends` do të mbahet nesër në sheshin `Skënderbeu`
BKT
Kulturë

`Rame Lahaj - Friends` do të mbahet nesër në sheshin `Skënderbeu`

Arbana Hajredinaj /RTK

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve u mbajt konferencë për media e RLIOF "Rame Lahaj and Friends" ku u shpalosën hollësi për koncertin që do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Rame Lahaj do të ngjitet edhe njëherë në skenën e improvizuar në sheshin “Skënderbeu”, të premten në Prishtinë. Një ditë para ngjarjes përmbyllëse të “Rame Lahaj and Friends”, ai tha se ky është edhe një mesazh ndaj institucioneve që të ndërtojnë sallën koncertale.

“Ne kemi me bë presionin së bashku me institucionin e operës që shteti, sektori privat dhe komuna me na ndihmuar me një sallë koncertale apo me një auditorium ku mandej i mbledhim të gjitha së bashku edhe operën, edhe baletin edhe ansamblin popullor edhe filharmoninë edhe jemi në një familje”, ka thënë Lahaj.

Megjithatë, jeta kulturore në Kosovë u vlerësuar si shumë e pasur.

Donika Gërvalla Schwarz, zv. Kryeministre njëherësh edhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se pa asnjë dyshim që ky festival tashmë tradicional dhe çdo vit që vjen shihet që shtohen aktivitete të tjera.

Kurse Jehona Lushaku, nënkryetare e Komunës ka thënë se që nga fillimet e idesë së festivalit, komuna e Prishtinës ka shpreh gatishmërinë që të kontribuoj me të gjitha mjetet edhe duke qenë nikoqir por edhe duke mobilizuar të gjithë rrjetin në kryeqytet që të jetë në shërbim të festivalit.

Dirigjenti i festivalit dhe dy tenorët e tjerë u shprehën të kënaqur që do të performojnë në Kosovë.

“Kur flasim për muzikën, muzika për një arsye është gjuha më universale në botë. Nuk ke nevoje ta mësosh gjuhën e saj dhe prapë do ta kuptoni”, ka thënë Sascha Goetzel, dirigjent.

Ndërsa tenori Charles Castronovo, ka thënë se gjëja më e rëndësishme në karrierën time është të këndosh në vendet që as nuk do të mendosh se do të shkosh ndonjëherë.

E tenori Murat Karahan, është shprehur se ndihet sikur është në shtëpi. “Njerëzit, ambienti, kultura janë shumë të ngjashme me njëra tjetrën”, ka thënë Karahan.

Gala mbrëmja “Rame Lahaj and Friends”, do të mbahet të premten në ora 20:30 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku si dirigjent do të jetë Sascha Goetzel, tenor Murat Karahan, Charles Castronovo dhe kryesori i kësaj nate, tenori Rame Lahaj.


MË SHUME NGA Kulturë