‘Doku Fest’ nis sonte me ‘New Order’, interesim nga 119 vende të botës
Kulturë

‘Doku Fest’ nis sonte me ‘New Order’, interesim nga 119 vende të botës

RTKlive

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, i cili do të mbahet për herë të 23-të këtë vit në Prizren, do të zgjasë deri më 10 gusht.

Festivali do të fillojë me ceremoninë e hapjes në kinemanë "Lumbardhi", një nga 8 kinematë e qytetit. “Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb” nga regjisori Stanley Kubrick do të jetë filmi që do të hap këtë edicion. Ky film njihet për shpërfaqjen e satirës së ashpër për Luftën e Ftohtë, duke u bërë një nga filmat më të njohur në Hollywood.

Sivjet interesimi ishte në nivel me 3325 aplikime nga 119 vende të botës, por do të shfaqen vetëm 103 filma të shkurtër dhe dokumentarë, të cilat do të garojnë që të marrin çmimet më të mira në kategoritë përkatëse si: “Balkan Dox”, “International Feature Dox”, “International Short Dox”, “International Shorts”, “Human Rights Dox”, “Green Dox”, “Truth Dox” dhe “National”.

“Kategoritë e tilla dëshmojnë përpjekjen e vazhdueshme të festivalit për të shërbyer si hapësirë ndërkulturore dialogu që mëton t’i jep publikut perspektiva diverse si alternativë shoqërore. E pikërisht tema që do shoqërojë këtë vit është ‘New Order’. Bota nuk është më njësoj. Konfliktet globale dhe ndryshimet në pushtet po ri-formojnë rendin ndërkombëtar, andaj jemi të emocionuar të eksplorojmë këtë temë në festival, duke përfshirë diskutime dhe programe speciale filmash si ‘Focus Ukraine’ dhe ‘No Other Land: Films on Palestine’ që lidhin të kaluarën me të tashmen dhe shqyrtojnë nëse ka ende shpresë për të ardhmen”, njoftojnë organizatorët.

Ndërkaq, filmi që do të përmbyll edicionin e 23-të do të jetë “Rrugës” i kineastit shqiptar, Samir Karahoda, i cili flet për ballafaqimet me djalin e tij përballë rrethanave vendore. 


MË SHUME NGA Kulturë