Mexhiti për ndalimin e Osmanit: Keqkuptim i sqaruar
M.P. / RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka thënë se incidenti ndaj presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit ka qenë keqkuptim, i cili është sqaruar pa komplikime.
“Dëshiroj t’ju siguroj të gjithëve se institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit gjatë ditës së djeshme dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i është mundësuar udhëtimi pa shqetësime. Keqkuptimi i shkaktuar mes MPB, TAV dhe sigurimit të presidentes është sqaruar dhe tejkaluar pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja”, ka shkruar ai në Facebook.
Mexhiti tutje ka akuzuar Bashkimi Demokratik për Integrim për shprehje të, siç e quan ai, formës së arrogancës.
“Ftoj BDI-në të tregojë seriozitet dhe pjekuri politike dhe të sillet si opozitë konstruktive. Raportet ndërshtetërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, dhe ato nuk mund t’i cënojë frustracioni opozitar i një partie politike dhe megafonëve të saj që bëjnë lajme të rrejshme për honorare të majme”, ka shkruar ai.
Në ndërkohë BDI nëpërmjet një reagimi e ka dënuar incidentin duke e quajtur skandaloz, si dhe ka akuzuar partitë shqiptare në pushtet për nënshtrim dhe servilizim ndaj VMRO DPMNE-së.