Një i vrarë dhe një i plagosur në Zllakuqan të Lipjanit
BKT
Lajme

Një i vrarë dhe një i plagosur në Zllakuqan të Lipjanit

Emine Hoti / RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur me thikë në Zllakuqan të Lipjanit.

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se rreth orës 13:00, Policia ka marrë informatën për një vrasje  që ka ndodhur në fshatin Zllakuqan të Lipjanit.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti .

Sipas saj, bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e  rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë.

Tutje zëdhënësja tha se njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor.

Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Magure.

Ahmeti tha se aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar.


MË SHUME NGA Lajme