AKRK: Hetohen katër operatorë kabllorë, dyshohen për fiksim çmimesh
RTK
Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka nisur një hetim të thelluar lidhur me dyshimin e bazuar për arritjen e marrëveshjes së ndaluar/kartel, për fiksimin e çmimeve dhe ndarjen e tregjeve në sektorin e telekomunikacioneve nga disa operatorë me ndikim në treg.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, kompanitë që do të hetohen janë Artmotion, Kujtesa NET, Telkos dhe ISP Broadcast. Gjatë shqyrtimit, Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka grumbulluar dëshmi të konsiderueshme që tregojnë se këto kompani kanë krijuar një sistem për t'i fiksuar çmimet, për ta ndarë tregun dhe për t'i kufizuar opsionet e disponueshme për konsumatorët.
Autoriteti i Konkurrencës thotë se do të përdorë të gjitha mjetet e tij ligjore dhe hetimore për të siguruar që tregu i telekomunikimeve të funksionojë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme.























