Banorët e jugut pro hapjes së urës së Ibrit |VIDEO
Arlinda Sejda/RTK
Edhe të martën kanë vazhduar punimet për sanimin e mureve të urës mbi lumin Ibër. Derisa qytetarët në Mitrovicë të Jugut deklarojnë se duan që kjo urë të hapet edhe për qarkullim të veturave, ata të komunitetit serb nuk duan të flasin.
Qytetarët në Mitrovicën e Jugut shprehen pro hapjes së urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.
"Kjo urë është dashtë të hapet vite më herët fajet më të mëdha i kemi ne vet dhe ndërkombëtaret të cilët në asnjë mënyrë nuk kanë arrit të gjejnë zgjidhje”, tha Xhavit Bajraktari, qytetar.
Qytetari Alban Jonuzi tha se ura nuk i shërben veç shqiptarëve por edhe serbëve nëse hapet.
“Përderisa ura në Suhodoll është e hapur për qarkullim të veturave, Boshnjaqka është e hapur , nuk e di ku është problemi, nëse e kanë vendos keta kufirin këtu, duhet të tregojnë, nëse nuk e kanë vendos, ura është më mirë të hapet si për serb si për shqiptarët", u shpreh Jonuzi.
Gjatë ditës qytetarët e komunitetit serb nuk pranuan të prononcohen për atë se a janë pro hapjes së urës për qarkullim të veturave.
E që nga orët e hershme të mëngjesit, vazhduan punimet. Kompania e kontraktuar nga qeveria ka vazhduar sanimin e mureve përreth konstruksionit të urës.
Forcat e EULEX-të, të KFOR-i dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë tek ura.























