Haradinaj: Tek Ura e Ibrit nuk ka dy anë, unë jam ku kam qenë gjithmonë
G.K/RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka reaguar për siç ka thënë ai tentimet që ta pozicionojnë “këndet ose andej ure”, duke shtuar se as atëherë e as sot s’kanë gjetur tek ai “aleat të ndarjes”.
“Nuk është hera e parë që kanë provuar të më pozicionojnë "këndej ose andej ure", duke dashur të ma vendosin kufirin ne mes!
Kanë provuar edhe Pejën të ma ndajnë me lum, kanë provuar që të ndajnë Mitrovicën me lum, besa edhe krejt Kosovën duke i vendosur disa kufij të ri, në emër të njëfarë shkëmbimi territorial. Por, as atëherë e as sot, s'kanë gjetur te unë aleat të ndarjes, e nuk do të gjejnë kurrë”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka shfrytëzuar siç thotë ai, sejmanët e tij për t’i drejtuar pyetje.
“Albin Kurti, përmes sejmenëve të tij, ma paska bërë një pyetje publike se "nga cila anë e urës" jam unë! Po pse u dashka që unë të jem në njërën anë të urës! Unë jam ku kam qenë gjithmonë, në çdo milimetër të territorit të Kosovës dhe se tek Ura e Ibrit nuk ka dy anë.
Po ju që po pyesni nga cila anë, a po sugjeroni që atë pjesë ta ndani në dysh, apo si e keni hallin?! Ose në cilën anë jeni ju, që ta marrim vesh njëherë e mirë!”, ka përfunduar kreu i AAK-së.























