Safet Kabashaj jep dorëheqje nga Bordi i RTK-së
RTKlive
Anëtari i Bordit të RTK-së, Safet Kabashaj, përmes profilit të tij në Facebook, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga ky organ. Ai tha se dorëheqjen e kishte paralajmëruar dje, ndërsa sot e ka finalizuar këtë.
Kabashaj thotë se arsyet për dorëheqjen nga Bordi i RTK-së i ka paraqitur në një email dërguar kolegëve, e të cilën e ka publikuar edhe në profilin e tij në Facebook.
“Siç e dini, në fund të takimit të pasuksesshëm dje, ju paralajmërova se do të largohem nga pozita e anëtarit të Bordit. Andaj, përmes këtij emaili, në respektim të dispozitave ligjore, paraqes dorëheqjen time nga pozita e anëtarit të Bordit të RTK-së”, shkruan Kabashaj.
Ai pos tjerash thotë se dështimi i djeshëm ishte goditje për të gjitha këto dhe tani është koha për t’ia kthyer Kuvendit mandatin që i ishte dhënë në dhjetor 2021.
“Pata shpresuar në vullnetin e gjerë politik dhe në pjekurinë, vendosmërinë e vizionin tonë në Bord për të rikonsoliduar një RTK kredibile e të pavarur. Koha tregoi se nuk doli as njëra e as tjetra. Si pasojë, unë po largohem për herë të dytë nga RTK-ja. Para kohe, por ndoshta pak vonë”, shkruan pos tjerash Kabashaj.























