Vashchenko përgëzon Kosovën për procesin e regjistrimit të popullsisë
N.M. /RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim shefen e re të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.
Bëhet e ditur se Bislimi i ka shprehur Vashchenkos gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim sa më produktiv dhe efektiv.
“Palët biseduan mbi potencialin zhvillimor të Kosovës dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes dhe shpërndarjes së barabartë të rritjes ekonomike drejt qytetarëve. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria po mbështet maksimalisht objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe po angazhohet në hartimin e politikave dhe skemave sa më të targetuara për grupe të ndryshme shoqërore”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Tutje bëhet e ditur se Vashchenko ka thënë se ndihet e lumtur për marrjen e detyrës dhe se tashmë po zhvillon raunde të vizitave me udhëheqës të institucioneve vendore. Ajo e vlerësoi pozitivisht rëndësinë që Qeveria i ka dhënë arsimit në kuadër të Planit të Rritjes dhe shtoi se zyra e UNICEF-it qëndron në përkrahje të plotë dhe e gatshme të asistojë në iniciativat e Qeverisë.
Gjithashtu, ajo e përgëzoi Kosovën për zhvillimin së fundmi të procesit të regjistrimit të popullsisë, në bazë të efikasitetit dhe përpunimit të shpejtë të të dhënave.























