Osmani priti ambasadorin Ruge, temë edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit
N.M. /RTKlive
(E përditësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge.
Bëhet e ditur se presidentja Osmani ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ajo ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.
“Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”, njofton zyra për informim e Presidencës.
Gjithashtu bëhet e ditur se Osmani e uroi Rugen për samitin e suksesshëm të NATO-s në Washington D.C., ku Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të presidentit Biden dhe sekretarit Blinken, e ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën.
Osmani në takim me Ndihmës Sekretarin për Çështje Politike të NATO-s

Edona Podvorica/RTK
Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, po zhvillon takim ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë, ambasadorin Boris Ruge.
Takimi ndërmjet Osmanit dhe Ruge është duke u zhvilluar në presidencë dhe pas takimit nuk pritet të këtë deklarime për media.
Ky takim vjen pas deklarimit të djeshëm të presidentes Osmani, e cila tha se hapja e urës mbi lumin Ibër, duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
























